Thursday, September 24, 2009

Pavarësia e Shqipërisë


Qysh në fund të tetorit të vitit 1912 në rrethet diplomatike dhe në shtypin evropian filloi të flitej për nevojën e ndryshimeve territoriale në të mirë të aleatëve ballkanikë. Në këto kushte, patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik krahas atij të “Shoqërisë së zezë për shpëtim” e të rretheve të tjera atdhetare brenda vendit. Qëllimi i këtij veprimi do të ishte të shpëtohej Shqipëria nga copëtimi, të ruhej tërësia e saj tokësore e të mblidhej një kuvend kombëtar që do të vendoste për fatin e saj. Nismën për këtë veprim të ri e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të cilët mendonin se do të kishin përkrahjen e Lidhjes Trepalëshe. Ata u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më 5 nëntor 1912 organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare të atjeshme. Aty u vendos të themelohej “një komitet drejtonjës” që të merrte në dorë qeverinë e vendit; të krijohej një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara qeverive të Fuqive të Mëdha “të drejtat kombëtare e lokale të popullit shqiptar” dhe një komitet në Bukuresht, që do të bashkërendonte veprimtarinë e komiteteve të tjera brenda e jashtë Shqipërisë për t’i ardhur atdheut në ndihmë. Mbledhja e Bukureshtit në vendimin e saj nuk përcaktoi qartë nëse do të kërkohej autonomi a pavarësi. Kjo do të përcaktohej, siç duket, nga zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve dhe nga qëndrimi që do të mbanin kundrejt çështjes shqiptare Fuqitë e Mëdha. Për këtë qëllim Ismail Qemali me shokë shkoi në Vjenë, ku bisedoi me ambasadorin anglez, Berhtoldin, dhe me ambasadorin italian. Gjatë rrugës ose ndoshta në kryeqytetin austriak Ismail Qemali u njoftua për lëvizjen që kishte filluar në Shqipëri për mbledhjen e një kuvendi kombëtar. Ai i deklaroi më 10 nëntor ambasadorit anglez se do të nisej së shpejti për në Vlorë për të marrë pjesë në një mbledhje të krerëve shqiptarë, se shqiptarët ishin të vendosur të ruanin vendin e tyre, se ata do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut për të mos lejuar një copëtim të tij dhe se krijimi i një Shqipërie më vete do të mënjanonte një ndërhyrje të Austrisë dhe të Italisë. Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri, që do t’u paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, kishte gjetur përkrahjen e qeverisë austro-hungareze. Berhtoldi e njoftoi Ismail Qemalin se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. I tillë ishte edhe opinioni që mbizotëronte në rrethet diplomatike të Fuqive të tjera të Mëdha. Por autonomia në kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare. Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Në këtë përfundim arriti grupi i atdhetarëve i kryesuar nga Ismail Qemali, i cili më 19 nëntor deklaronte në Trieste, ku kishte arritur bashkë me shokët, se: “... menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri do të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme”. Nga Triestja komisionit që ishte formuar në Vlorë për përgatitjen e mbledhjes së kuvendit kombëtar iu dërgua një telegram, me anë të të cilit kërkohej që të merreshin masa për thirrjen e delegatëve. Ideja e pavarësisë së Shqipërisë dhe lajmi i mbledhjes së kuvendit kombëtar u pritën me entuziazëm të madh në Shqipëri, ku gjetën një truall të përgatitur qysh më parë nga rrethet atdhetare të vendit. Këto rrethe kishin vendosur lidhje ndërmjet tyre dhe kishin caktuar Vlorën si qendër ku do të bëhej mbledhja e përfaqësuesve të kombit shqiptar. Grupi i kryesuar nga Ismail Qemali arriti në Durrës më 21 nëntor. Së bashku me atdhetarët durrsakë ai vendosi të ngrinte në qytet flamurin kombëtar. Por autoritetet osmane, të ndihmuara nga armiku i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhespot Jakovi, arritën, ndonëse përkohësisht, ta pengonin këtë veprim. Komanda turke e Janinës u orvat nga ana e saj ta kapte Ismail Qemalin gjallë ose vdekur, por shumë shpejt u detyrua të hiqte dorë nga ky vendim. Administrata turke në krahinat e Shqipërisë, të papushtuara ende nga ushtritë ballkanike, në përgjithësi nuk ishte në gjendje ta pengonte lëvizjen shqiptare. Ajo i trembej shumë një konflikti të armatosur me shqiptarët, në një kohë kur po ndiqej këmba-këmbës nga aleatët ballkanikë dhe kur e vetmja rrugë tërheqjeje në perëndim ishte Shqipëria. Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të Tiranës e të Krujës, Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në Kavajë. Prej andej nëpër Karatoprak kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës, dhe më 25 nëntor arritën në Vlorë. Këtu delegatët e popullit shqiptar u pritën me festë. “Një zjarr i shenjtë patriotizmi, - shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij, - kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”. Puna e parë e udhëheqësit patriot qysh më 26 nëntor ishte organizimi i forcave të armatosura. Për këtë qëllim ai ngriti një komision organizues dhe u dërgoi pleqësive të katundeve një qarkore, me anën e së cilës porositeshin të mobilizonin njerëzit e aftë për armë dhe t’i mbanin ata në gatishmëri. Ndërkohë, ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Rrethet atdhetare të këtyre qyteteve vendosën ta shpallnin sa më parë pavarësinë për t’i vënë autoritetet ushtarake serbe përpara faktit të kryer. Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi e Tirana dhe më 27 nëntor Kavaja, Peqini e Lushnja. Për shkak të përparimit të pandalur të ushtrive serbe, gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë më kritike. Kjo ishte arsyeja që në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë, ndonëse nuk kishin arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, vendosën të mblidhnin të nesërmen kuvendin kombëtar. Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përveç Ismail Qemalit merrnin pjesë Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Vehbi Agolli, Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Abdi Toptani, Pandeli Cale, Dudë Karbunara, Lef Nosi, Mithat Frashëri, Mehmet Dëralla, Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Sherif efendi Dibra, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Shefqet Daiu, Rexhep Ademi, Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Koprëncka, Spiro Ilo, Iljaz Vrioni, Hajredin Cakrani, Shefqet Vërlaci etj. Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më 29 nëntor, i pritur me gëzim të madh nga popullsia dhe nga delegatët e Kuvendit. Nga udhëheqësit e tjerë kosovarë, për shkak të rrethanave të luftës, nuk mundën të merrnin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj., që ndodheshin në burgun e Beogradit, si edhe Bajram Curri, i cili, ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë rrugës. Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare. Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin, i cili foli për të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike “e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”. Propozimi i kryetarit u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: “... Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”. Pastaj u ngrit madhërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit e që e pritën këtë ngjarje historike me brohoritje entuziaste, ndërsa populli përshkonte duke kënduar rrugët e qytetit, oratorët atdhetarë, si Jani Minga, Murat Toptani etj., me fjalimet e zjarrta evokonin luftërat e popullit shqiptar për liri. Nga Kuvendi i Vlorës doli gjithashtu qeveria e përkohshme e kryesuar nga Ismail Qemali. Rëndësia historike e Shpalljes së Pavarësisë Shpallja e Pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Ajo, nga njëra anë, mbylli një epokë të tërë luftërash e përpjekjesh shekullore për të hequr qafe zgjedhën e huaj, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut e për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar duke kurorëzuar veprën e Rilindjes dhe, nga ana tjetër, hapi një epokë të re, një epokë luftërash e përpjekjesh të tjera për ta mbrojtur pavarësinë e fituar nga rreziqet e jashtme e të brendshme, për të siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik. Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri e deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim e deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e të Kumanovës, në lindje. Këto treva, duke marrë pjesë gjallërisht me pushkë e me penë në lëvizjen për çlirimin kombëtar, vunë gurë në themelet e pavarësisë shqiptare, i çimentuan ato me gjakun e bijve më të mirë dhe i hapën rrugën formimit të shtetit shqiptar. Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave shqiptare, që dërguan përfaqësuesit e tyre në të. Ai e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë. Edhe qeveria shqiptare e Ismail Qemalit doli në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullsisë shqiptare dhe e të gjitha tokave shqiptare, edhe pse një pjesë e madhe e tyre ishte e pushtuar nga ushtritë e shteteve ballkanike. Edhe deklaratat e notat e protestës, që kjo qeveri u dërgoi shteteve ballkanike e komandave të tyre ushtarake, në të cilat kërkoi largimin e menjëhershëm të forcave të huaja ushtarake nga trojet e pushtuara shqiptare dhe kthimin e tyre Shqipërisë, u bënë në emër të Asamblesë Kombëtare që përfaqësonte të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. Me Aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta e pamohueshme historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e veta, krahas popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Kjo ishte një e drejtë që buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin e me historinë e vet, e drejtë e fituar me mundime e sakrifica të panumërta në llogoret e luftës, e drejtë që i takonte për ndihmesën e vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë. Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar. Për ta siguruar një fitore të tillë popullit shqiptar iu desh të bënte një luftë të gjatë kundër sundimtarëve osmanë dhe synimeve grabitqare të fuqive të huaja. Një varg rrethanash të brendshme e të jashtme kanë bërë që këto lëvizje të mos arrinin dot objektivin. Por në çdo etapë ato kanë vënë në provë forcat materiale e morale të popullit shqiptar, kanë pasuruar përvojën e traditat e tij luftarake dhe kanë krijuar premisat për zhvillimin e mëtejshëm të luftës. Në shek. XIX e në fillim të shek. XX kjo luftë u zhvillua mbi baza të reja shoqërore e politike dhe mori karakter të ndërgjegjshëm kombëtar. Shpallja e autonomisë nga Lidhja e Prizrenit dhe ajo e Pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës më 1912 janë dy hallkat themelore në zinxhirin e ngjarjeve të lëvizjes kombëtare, të lidhura organikisht ndërmjet tyre si shprehje e vullnetit popullor dhe si pasojë e drejtpërdrejtë e përfundim logjik i luftës çlirimtare. Por, Shpallja e Pavarësisë shqiptare ishte në të njëjtën kohë një etapë më e lartë, e përcaktuar nga zhvillimi progresiv i lëvizjes dhe nga rrethanat ndërkombëtare. Në Gadishullin Ballkanik Shqipëria, sikurse Maqedonia, ishte vendi që u çlirua i fundit nga sundimi i sulltanëve osmanë, në një kohë kur popujt e tjerë fqinjë kishin, kush më shumë e kush më pak, dhjetëra vjet që bënin jetë shtetërore të pavarur. Kjo vonesë u shkaktua nga faktorë ekonomikë, shoqërorë e politikë, të brendshëm e të jashtëm, që vepruan ndërsjelltas mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe përcaktuan ritmet e zhvillimit të saj. Prapambetja ekonomike e shoqërore e vendit ishte padyshim një faktor që vonoi rritjen e forcave organizuese e drejtuese të lëvizjes kombëtare e si pasojë e vështirësoi dhe e vonoi Shpalljen e Pavarësisë. Megjithatë, edhe pse Shqipëria ishte një vend i vogël e mbi të rëndonte zgjedha e një perandorie të madhe, një faktor themelor që e vonoi për dhjetëra vjet pavarësinë shqiptare ishte ai i jashtëm. Populli shqiptar ka qenë gjatë gjithë lëvizjes për çlirimin kombëtar i vetëm, pa ndihmën e jashtme e pa aleatë. Për më tepër, shtetet ballkanike fqinje, të cilat të parat patën siguruar pavarësinë, luftuan me të gjitha mjetet, duke filluar nga presionet diplomatike e duke mbaruar edhe me ndërhyrje të armatosura, kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e cila për nga qëllimet e saj ishte në kundërshtim me planet e tyre të skllavërimit ekonomik e politik dhe të copëtimit të Shqipërisë. Edhe Fuqitë e Mëdha, të cilat, gjatë gjithë shek. XIX patën përkrahur popujt e krishterë të Ballkanit (serbët, grekët, rumunët e bullgarët) të formonin shtetet e tyre të pavarura, për një kohë të gjatë, mbajtën një qëndrim mospërfillës ndaj çështjes shqiptare. Në këtë qëndrim pati ndikimin e vet edhe fakti që shqiptarët, të ndarë në tri fe (edhe pse i bashkonte një ndërgjegje e vetme kombëtare), me një shumicë zotëruese myslimane, shiheshin nga Evropa e sidomos nga Rusia e krishtere si një popull i huaj me to dhe më i afërt me turqit myslimanë. Jo vetëm Rusia, por edhe shtetet e tjera evropiane nuk qenë shkëputur ende në atë periudhë nga konceptet e vjetra teokratike për kombin, edhe pse perandorive shumëkombëshe teokratike po u vinte fundi.Në këto kushte, lufta për pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të mbështetej veçse në forcat e popullit shqiptar dhe mund t’ia arrinte qëllimit vetëm kur të krijohej një koniunkturë e favorshme ndërkombëtare, kur kontradiktat ndërmjet Fuqive të Mëdha mund të shfrytëzoheshin me sukses për realizimin e saj. Pavarësia e Shqipërisë u shpall në kushte të tilla ndërkombëtare. Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në fazën e fundit të saj, ditën të shfrytëzonin me mjeshtëri koniunkturën politike që u krijua me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, kur në çështjen shqiptare u ndeshën me forcë interesat e kundërt të Fuqive të Mëdha. Është meritë e këtyre atdhetarëve largpamës dhe, në mënyrë të veçantë, e atdhetarit dhe e diplomatit të shquar Ismail Qemali, që, duke u mbështetur në luftën e popullit shqiptar brenda vendit, zgjodhën drejt çastin e përshtatshëm për të kaluar nga platforma e deriatëhershme politike e lëvizjes për autonominë në atë të pavarësisë. Dhe kjo u realizua pikërisht më 28 Nëntor 1912, kur Turqia po dëbohej nga Ballkani, kur Fuqitë e Mëdha vendosën të hiqnin dorë nga ruajtja e status quo-së në Ballkan dhe kur planet e aleatëve ballkanikë për ta zhdukur Shqipërinë, të përkrahura edhe nga fuqitë e Antantës, u kundërshtuan nga fuqitë e Lidhjes Tripalëshe. Vendimi historik i 28 Nëntorit drejtohej megjithatë jo vetëm kundër politikës së Fuqive të Antantës dhe të shteteve fqinje të Ballkanit, por edhe kundër planeve të fuqive të Lidhjes Tripalëshe. Këto të fundit, sidomos Austro-Hungaria e Italia, si më të interesuarat për çështjen shqiptare, ishin në atë kohë për autonominë e Shqipërisë, nën sovranitetin e sulltanit. “Pavarësinë” e saj ato e shihnin si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe e kuptonin nën prizmin e interesave të vet, si mjetin që do t’u hapte rrugën për të vendosur kontrollin ekonomik e politik mbi Shqipërinë, për ta përdorur popullin shqiptar si gardh kundër shtrirjes së shteteve sllave drejt perëndimit të Shqipërisë, si mbështetje për shtrirjen e tyre në Ballkan. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë edhe pse, siç do të provohej me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha të Londrës (1913), nuk arriti të bashkonte në një shtet të vetëm gjithë territoret e popullsinë shqiptare, duke krijuar pas pesë shekujsh Shtetin e Pavarur Shqiptar përbën ngjarjen më të madhe, unikale, në historinë e kombit shqiptar gjatë shek. XX. Kthesa historike e 28 Nëntorit 1912 ishte premisa politike themelore për organizimin mbi baza më të përparuara të jetës shtetërore të pavarur të shqiptarëve dhe për zhvillimin më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Duke formuar Shtetin e Pavarur Shqiptar ajo objektivisht krijoi gjithashtu premisat dhe atë bazë shtetërore e politike, aq të nevojshme për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan.

No comments:

Post a Comment

Post a Comment